Presidenti rus, Vladimir Putin dhe ai i Këshillit Evropian, Charles Michel zhvilluan së bashku një bisedë telefonike. Lajmi u konfirmua nga pala ruse.
Burime nga Kremlini raportuan se gjatë bisedës, rusët e vunë theksin tek mungesa e “seriozitetit” të Kievit në negociatat e paqes.
“Vazhduan diskutimet për situatën në lidhje me zhvillimin e operacionit special ushtarak rus për mbrojtjen e republikave të Donbasit, si dhe për aspektet humanitare, duke përfshirë masat për evakuimin e civilëve”, bëhet e qartë në deklaratë.
“Presidenti i Rusisë i kushtoi vëmendje të veçantë faktit që udhëheqja e BE-së injoroi veprimin e djeshëm kriminal dhe çnjerëzor të ushtrisë ukrainase” ishte një nga pretendimet e Moskës.
Sot, Ministria e Jashtme ruse komentoi edhe deklaratat e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky i cili tha se bisedimet me Rusinë tani duken “më realiste”.
“Pyetni palën ukrainase nëse është bërë më realiste, më pak e shkëputur nga realiteti”, u shpreh zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova, duke iu përgjigjur mediave.
