Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, ka përshëndetur vendimin e presidentit amerikan Donald Trump për të ftuar Vladimir Putinin në samitin e ardhshëm të G20-ës në Miami.
Sipas Wadephul, ftesa mund të shërbejë si një mundësi për të testuar gatishmërinë e presidentit rus për të negociuar me mirëbesim dhe për të nisur bisedime serioze për përfundimin e luftës në Ukrainë.
“Kjo ftesë, të cilën çdo presidencë mund ta ofrojë, do të jetë një provë për Vladimir Putinin për të parë nëse ai është i përgatitur të negociojë me mirëbesim”, tha Wadephul gjatë një takimi me homologen e tij kanadeze, Anita Anand, në Ottawa.
“Mundësi të tilla duhet të shfrytëzohen”, shtoi ai.
Wadephul tha se Gjermania u ka bërë vazhdimisht thirrje autoriteteve ruse dhe personalisht Putinit që të ulen në tryezën e negociatave.
“Nëse kjo është një rrugë përpara, atëherë të paktën do të shënonte fillimin e negociatave serioze”, deklaroi ai, duke shtuar se kjo do të ishte e mundur nëse Putini dhe qeveria ruse janë vërtet të interesuar për përfundimin e luftës.
Anand: U befasova nga ftesa
Ministrja e Jashtme kanadeze, Anita Anand, tha se ishte habitur kur dëgjoi për vendimin e Trump për të ftuar Putinin në samitin e G20-ës, i planifikuar për në dhjetor.
Megjithatë, ajo tha se nuk shihte arsye që Kanadaja të bojkotonte samitin, duke theksuar rëndësinë e dialogut me Rusinë.
Rusia mbetet anëtare e G20-ës, e cila përfshin 19 shtete, Bashkimin Evropian dhe Bashkimin Afrikan.
Putini mori pjesë për herë të fundit personalisht në një samit të G20-ës në vitin 2019, para nisjes së pushtimit të plotë të Ukrainës në shkurt 2022.
Presidenti rus ende nuk e ka pranuar zyrtarisht ftesën e Trumpit, e cila u bë publike më herët gjatë kësaj jave.
