Gjatë seancës së sotme në Parlament, diskutimi i rezolutës për agresionin rus në Ukrainë ka bërë bashkë Berishën dhe Bashën. Demokratët e ndarë bashkojnë votat për ta futur rezolutën në rend të ditës, por kjo gjë është hedhur poshtë nga votat e mazhorancës të cilët ishin shumicë.
Deputetët demokratë të PD-së dhe ata të Sali Berishës bashkuan votat duke u bërë së bashku për të diskutuar rezolutën. Nga deputetët e Bashës iu bashkuan edhe Arbi Agalliu, Sorina Koti, Bujar Leskaj, Ferdinand Xhaferraj duke mbledhur gjithsej 17 vota, por votat e tyre u rrëzuan nga 48 votat e mazhorancës, me këta të fundit që ngritën kartonin e kuq.
Megjithatë, as në këtë moment nuk kanë munguar batutat, ku kreu i Grupit Parlamentar të Ps-së, Taulant Balla i’u drejtua Berishës duke thënë se ai i’a ka vjedhur kartën e Lulzim Bashës. Ky koment i Ballës u pasua me të qeshura.
Replikat në Kuvend gjatë këtij votimi:
Sali Berisha: E përdorët votën për diktat. Nuk ju lejon Edi Rama.
Lindita Nikolla: Kush është pro që rezoluta të futet në axhendën e punimeve të Kuvendit. Numërojmë votat.
Taulant Balla: Ka vjedhur kartën e Lulit
Sali Berisha: Dy janë shkeljet më të rënda të parlamentit sot që refuzon debatin për krizën e rëndë që ka pllakosur qytetarët. Dëshmi e një arrogance të qeveritarëve. Dëshmi e shpirtkazmërisë. Dëshmi e gënjeshtrave dhe trillimeve ndaj qytetarëve që janë në protestë. U serviren fatura nga Itali. Kërkoj rezolutën sepse ju po shkelni embargon. Po shkarkohen anije ruse.Të respektoni protestën e qytetarëve. Për ju nuk ka krizë. Nuk ka kufizime. Ka vetëm dëshira. Ju nuk e latë të futët në 9 vite. E përdorët votën për diktat. Nuk ju lejon Edi Rama.
