Në një vendim të fundit të saj, Gjykata Kushtetuese vendosi se Emiljano Shullazit i janë shkelur të drejtat gjatë procesit në Apel.
Sipas Kushtetueses, vendimet e gjykatës bien ndesh me Kushtetutën për shkak se Emiljano Shullazit i është cenuar e drejta për proces të rregullt ligjor.
Ndërkaq, sjellim ndërmend se që prej shtatorit 2021, Shullazi ka bërë ankimim në Gjykatën Kushtetuese lidhur me vendimin për qëndrimin e tij në regjimin e izolimit “41 bis”. Ankimimi i Shullazit në Kushtetuese vjen pasi Apeli i Gjykatës së Lartë rrëzoi pretendimet e tij për të dalë nga ky regjim i sigurisë së rreptë.
“Konstatimin e cenimit të së drejtës për proces të rregullt ligjor gjatë gjykimit të ankimit ndaj urdhrit nr. 253, datë 28.07.2020 të ministrit të Drejtësisë “Për vendosjen në regjimin e posaçëm të ushtrimit të të drejtave në burgun e sigurisë së lartë për të paraburgosurin EmiljanoShullazi”, si pasojë e mosrespektimit të parimit të kontradiktoritetit.
Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare”, argumentohet në vendimin e Kushtetueses.
