Policia ka arrestuar 2 persona në Krujë me akuzën e kultivimit të bimëve narkotike. Nga burime zyrtare të policisë njoftohet se në sajë të operacionit të koduar “Derveni”, u bë i mundur arrestimi i shtetasve Ll. L., 57 vjeç dhe E. L., 24 vjeç të cilët ishin babë e bir.
Mësohet se gjatë kontrollit të ushtruar në banesën dhe ambienteve përreth saj në pronësi të babë e bir, banues në Derveni, policia ka gjetur një stallë të përshtatur për kultivim të bimëve narkotike, me anë të llambave. Po ashtu, brenda ambienete u gjetën dhe u sekuestruan 316 fidanë të dyshuar kanabis të kultivuar në vazo plastike, llamba, pajisje të ndryshme elektrike dhe aspiratorë.
Gjithashtu, nga kontrolli i ushtruar në banesat e tyre, policia gjeti dhe sekuestroi 1.822.000 lekë dhe 37.000 euro, të cilat dyshohen se janë përfituar nga veprimtaria kriminale e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për hetime të mëtejshme, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.
