Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot qytetun e Beratit. Mësohet se gjatë orëve të para të mëngjesit, në lagjen “Dëshmorët e Kombit” në Berat, babi ka plagosur rëndë me thikë djalin e tij pas një zënke në familje.
Policia njofton:
“Pas një konflikti në familje, motivet e të cilit nuk dihen ende, 66-vjeçari Ramo Sheroku ka goditur disa herë me thikë djalin e tij 32-vjeç Andrea Sheroku, duke i shkaktuar plagë të shumta në trup. I plagosuri është transportuar me ambulancë fillimisht në Repartin e Urgjencës në Spitalin Rajonal të Beratit dhe më pas i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në Repartin e Kirurgjisë.”
Ndërkohë, mjekët e Spitalit të Beratit flasin për gjendjen e të plagosurit ku konfirmojnë se 32-vjeçari kishte marrë goditje në pjesën e kraharorit, afër mushkërive dhe për shkak të gjendjes së tij të rënduar mjekët e kanë transportuar drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë.
Policia ka shoqëruar babain e djalit në ambientet e DVP-së Berat ku pritet që ai të japë dëshminë e tij rreth kësaj ngjarjeje të rëndë.
