15 makina të reja luksoze të cilat janë bllokuar kohët e fundit në rrugët e vendit do të jenë tani në përdorimin e policisë. Sipas uniformave blu, këto makina janë sekuestruar gjatë operacioneve policore për goditjen e krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme.
Tashmë ato do të jenë nën administrimin e Policisë së Shtetit. Një prej automjeteve raportohet se është e blinduar. Ndërkohë, këto 15 makina janë konfiskuar gjatë 5 muajve të fundit.
Njoftimi i policisë:
Kjo dëshmon vendosmërinë e Policisë së Shtetit, në luftën ndaj krimit, duke siguruar që çdo pasuri e përfituar në mënyrë të paligjshme, pas konfiskimit, do të vendoset në përdorim të Policisë së Shtetit, në shërbim të qytetarëve, për më shumë rend dhe siguri.
Njëri prej këtyre automjeteve i ka kaluar Drejtorisë së Policisë Rrugore, automjet i shpejtë që do t’u vijë në ndihmë shërbimeve të Policisë Rrugore, bashkë me mjetet inteligjente dhe logjistikën bashkëkohore, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, ndërsa automjetet e tjera të sekuestruara u kanë kaluar strukturave të tjera të Policisë së Shtetit, që kanë specifika të veçanta shërbimi.
Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht, në bashkëpunim të ngushtë me agjencitë ligjzbatuese dhe partnerët, për të luftuar me vendosmëri krimin e organizuar dhe korrupsionin, si dhe për të sekuestruar pasuritë që rrjedhin nga veprimtaria kriminale.
