Kërkesa për prezervativë ka arritur pikun në Rusi teksa njerëzit janë trembur nga rritja e çmimeve dhe mungesës në treg për shkak të sanksioneve të Perëndimit. Shitësi më i madh online i tyre në Rusi, shënoi një rritje të shitjeve me 170% vetëm në dy javët e para të Marsit.
Rrjeti i farmacive raportoi një rritje prej 26% të shitjeve të prezervativëve, ndërsa supermarketet 30%. Ndërkohë, çmimi për konsumatorin është rritur deri në 50%, në varësi të markës prodhuese, por kjo nuk e ka ndalur blerjen e tyre.
Pikat e shitjeve janë detyruar të ngrenë çmimet për shkak të rënies drastike të Rublës ruse kundrejt valutave kryesore europiane. Sipas një eksperti të kësaj industrie, lateksi vjen nga vende që nuk kanë aplikuar sanksione ndaj Rusisë, por duhet që pagesa të kryhet në valuta perëndimore, të cilat janë më të shtrenjta se ajo vendase.
Zyrtarët nuk kanë parashikuar mungesë të këtij produkti. Vendet më të mëdha prodhuese si Tajlanda, India, Korea e Jugut dhe Kina nuk kanë ndaluar eksportimin drejt Federatës Ruse. Rusia është vend që importon 600 milionë prezervativë në vit dhe prodhon 100 milionë./
