Ditën e sotme, çmimi i naftës ka shënuar sërish rritje në pikat e karburanteve. Nëse ditën e djeshme, një litër naftë tregtohej me 203 lekë, sot ka shkuar në 211 lekë për litër. Po ashtu edhe një litër benzinë po tregtohet sot me 211 lekë, nga 206 lekë për litër që ishte më parë.
Qarkullojnë zëra në media që thonë se ndryshimi i çmimeve erdhi pas vendimit të djeshëm të Bordit, por ky bord edhe pse i quajtur “Bordi i Transparencës” nuk ka bërë publik deri më tani vendimin e marrë si çka bërë në rastet e mëparshme.
Nafta ka shënuar rritje në bursë, që duket se është reflektuar edhe tek çmimi në vendin tonë. Në bursa, nafta tregtohej të martën në mëngjes në 118 dollarë për fuçi.
Fakt është se rritja pasqyrohet menjëherë në tregun tonë, por kur çmimi i naftës ulet në bursa, ai nuk pasqyrohet fare ose vetëm pak. Kështu për shembull, kur çmimi i naftës në bursë ishte rreth 92 dollar, ai nuk zbriti më pak se 203 lekë/ litri në Shqipëri.
