Krim të neveritshëm e cilëson kryeministri Edi Rama shpërthimin që ndodhi këtë të premte në një depo nafte në qytetin saudit të Jeddah.
Sulmi u mor përsipër nga rebelët Houthi të Jemenit. Rama, në reagimin e tij në rrjetin social “Twitter” shkruan se Shqipëria qëndron në krah të Arabisë Saudite dhe u bën thirrje të gjithë anëtarëve të OKB-së që të dënojnë me vendosmëri organizatën terroriste që qëndron pas sulmeve të tilla.
“Një tjetër krim i neveritshëm kundër Arabisë Saudite, i cili synon të ndikojë më tej në sigurinë globale të energjisë në një kohë të trazuar për të gjithë botën! Shqipëria qëndron në krah të Arabisë Saudite dhe u bën thirrje të gjithë anëtarëve të OKB-së që të dënojnë me vendosmëri organizatën terroriste që qëndron pas sulmeve të tilla”.
Media shtetërore saudite raportoi një seri sulmesh me dron dhe raketa nga grupi Houthi i Jemenit i mbështetur nga Irani ndërsa shtëllunga e madhe e tymi të zi mbuloi qytetin, i cili të dielën do të mirëpresë një garë të Formula 1.
Sipas Reuters objekt i sulmit ishte rafineria shtetërore e naftës Aramco. Ndërkohë sulmi u reflektua menjëherë në çmimin e naftës, Nafta e papërpunuar Brent u rrit me 1,01 dollarë, ose në 120,23 dollarë për fuçi në orën 11:50 të mëngjesit ET dhe nafta e papërpunuar e Teksasit Perëndimor (WTI) u rrit me 95 cent, ose 0,9 për qind, në 113,37 dollarë. Të dy kishin rënë me 3 dollarë më parë.
