Rikthimi i Izet Haxhisë në Shqipëri dhe vendimi për rihapjen e çështjes Hajdari e ka tronditur klasën politike për shkak të ngarkesës së madhe që mbart ajo ngjarje dhe historitë e lidhura me të, të cilët nuk fillojnë dhe mbarojnë tek shkrepja e armëve pak metra larg zyrës së liderit të dhjetorit.
Rihapja e çështjes Hajdari duket të jetë gjithashtu edhe një kërcënim i hapur ndaj Sali Berishës në këtë periudhë të ngarkuar politike pavarësisht se Rama betohet nga mëngjesi në darkë se nuk ka ndikim tek vendimet e gjykatave.
Ndryshe nga Haxhia, Berisha ka qenë i kursyer në deklaratat ndaj Haklajve, të cilët për vite me radhë i “mohuan” shkuarjen e tij në vendnlindje për shkak të raporteve problematike mes tyre pas vrasjes së Shkëlqim Haklajt në janar të vitit 1998, për të cilën ata akuzonin direkt liderin demokrat.
Megjithatë, Berisha ka bërë dy deklarata të bujshme për ta duke i akuzuar si fisi që përgjaku Tropojën dhe se i kishin bërë pritë në këtë qytet për t’a vrarë.
“Mua më kanë bërë pritë, por nuk ndalova dhe vazhdova mitingun”, është shprehur më parë Berisha duke vijuar: Këta vranë Tropojën, vranë njerëz të pafajshëm që nuk kishin asnjë lidhje, përveçse kishin përkatësi të partisë Demokratike, studentë të dhjetorit, Naim Dizdari, Abdyl Matoshi.
Mbetet për t’u parë se çfarë do të parashikojë rihapja e çështjes Hajdari dhe nëse kësaj radhe do të bëhet e mundur marrja e dëshmisë së Sali Berishës, i cili në çështjen e parë nuk shkoi para gjykatës.