Gjatë një deklarate për mediat, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç deklaroi se e njeh shumë mirë presidentin rus, Vladimir Putin. Vuçiç tha se i di mirë mendimet e Putinit dhe se sipas tij, mosvendosja e sanksioneve ndaj Rusisë ka qenë një vendim i drejtë.
“Unë mendoj se ne kemi marrë vendimin më të drejtë dhe më të mirë për ne. Dhe si mund të na bëjnë presion ata që zgjedhin çfarë sanksionesh duan dhe çfarë nuk duan dhe ata vërtet duan që ne të vendosim sanksione që ata vetë nuk i vendosin”, u shpreh ai.
Mes të tjerash, Vuçiç theksoi se e njeh liderin rus më mirë se 99% e liderëve botërorë dhe se e di mjaft mirë se çfarë ka në mendje ai.
“Besoj se Putin e njoh më mirë se 99 për qind e liderëve të botës dhe e kuptoj atë që ka në mendjen e tij. Mendoj se Perëndimi e befasoi në fillim dhe se tani është në një situatë ku nuk ka ku të shkojë dhe se ai po e befason më shumë Perëndimin dhe duhet të luftojë”, tha Vuçiç.
