Së fundmi, Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka miratuar një ligj i cili kufizon shpërndarjen e informacioneve lidhur me ushtrinë gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, gjendje që aktualisht është në fuqi në Ukrainë për shkak të pushtimit rus. Sipas asaj që parashikon ky ligj, ai që e shkel atë mund të dënohet deri me 12 vjet burgim. Dokumenti në fjalë ndalon çdo incizim të lëvizjeve të personelit ushtarak, vendeve të granatimeve, emrat e rrugëve, ndalesat rrugore, dyqanet dhe fabrikat e tjera civile dhe ushtarake.
Ky ligji, i cili është nënshkruar nga presidenti Zelensky gjatë fundjavës, ndalon gjithashtu edhe publikimin e të dhënave lidhur me lëvizjen e ndihmës ushtarake nga shtetet e huaja. Të vetmet institucione që mbeten të pacënuara nga ky ligj janë Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm.
Theksojmë se një njoftim i tillë vjen pas shqetësimeve se disa persona kanë postuar online informacione të ndjeshme lidhur me ushtrinë ukrainase. Më 21 mars, Shërbimi Sekret ukrainas, ndaloi një person i cili kishte postuar në “TikTok” vendodhjen e forcave të armatosura në Kiev. Pak kohë pas postimit të kësaj videoje, Rusia kreu një sulm me raketa në atë zonë, duke vrarë tetë persona. Ky shërbim sekret ende po heton nëse personi që postoi informacione e ka bërë këtë qëllimisht, duke tentuar që të publikojë informacione sekrete në të mirë të Rusisë.
