Nga dita e premte, Komisioni i Rithemelimit ka marrë kontrollin e selisë së Partisë Demokratike, pasi Gjykata e Tiranës certifikoi Kuvendin e 11 Dhjetorit.
I ftuar në “Radar Informativ” me Juli Xhokaxhi, deputet Belind Këlliçi tha se vijon puna për heqjen e dyerve të blinduara.
Sipas tij, asnjë prej mbështetësve të Lulzim Bashës nuk është paraqitur në seli.
“Kam qenë në tre ditët e fundit në seli. Një lajm i mirë: ka qytetarë që janë rikthyer. Askush nga mbështetësit e zotit Basha nuk kanë qenë prezent. As zoti Alibeaj – kryetar grupi se nuk ka kryetar të komanduar – është shkarkuar. Në godinë nuk ndodhet askush. Në ndryshim nga ata mentaliteti ynë është përbashkues. Mund të vinë kur të duan. Janë zhdukur nga dita e premte kur ne vajtëm në seli”, u shpreh Këlliçi.
Deputeti konfirmoi po ashtu edhe ndryshimet në zyrën e shtypit.
Ai tha se në këtë zyrë ndodhet vetëm Silvi Bardhi.
“Në zyrën e shtypit nuk ndodhet asnjë tjetër, përveç zonjës Silvi Bardhi. Kemi rikthyer në punë rojen”, tregoi ai.
