Autoritetet në Danimarkë vendosën të heqin sot edhe kufizimin e fundit që ishte vendosur për të penguar përhapjen e koronavirusit. Duke filluar që nga dita e sotme, qytetarët në Danimarkë nuk duhet të testohen më brenda 24 orëve nga hyrja në vend. Më parë, kjo kërkesë zbatohej vetëm për personat që nuk ishin vaksinuar ose nuk ishin shëruar nga një infeksion i mëparshëm dhe që dëshironin të hynin në vend nga jashtë BE-së dhe zonës Schengen.
Në fakt, që prej 1 shkurtit Danimarka e ka lehtësuar tejmase jetën e qytetarëve të saj pasi qeveria vendosi të heqë shumicën e kufizimeve të koronavirusit, pavarësisht numrit të lartë rekord të infeksioneve të reja.
U tha se ky vendim erdhi për dy arsye kryesore të cilat kishin të bënin me rastet më të lehta pas ardhjes së variantit Omicron dhe përqindjet e larta të vaksinimit. Së fundmi kishin mbetur në fuqi vetëm kufizimet e izoluara të hyrjes, por edhe këto u hoqën gradualisht.
Ndërkaq, numri i rasteve në Danimarkë ka rënë ndjeshëm prej disa ditësh. Megjithatë, shumë më pak njerëz po testohen se më parë.
