Ka dalë në dritë dëshmia e dy mjekëve dhe e infermierit që u vunë në pranga nga policia pasi i dhanë ndihmë mjekësore Nuredin Dumanit dhe nuk njoftuan policinë për këtë fakt. Teksa dhanë deklaratat e tyre në polici, mjekët nga Fieri kanë deklaruar se nuk kishin dijeni për të shkuarën e tij kriminale dhe se kanë bërë detyrën e tyre, bazuar dhe në betimin e Hipokratit.
“Kemi shkuar te banesa e personit të plagosur të shoqëruar nga një i njohur. Nuk kishim dijeni për të shkuarën e tij kriminale. Kemi bërë detyrën si mjekë për t’i ofruar ndihmën paraprake të shpejtë një njeriu. Kjo bazuar edhe në betimin e Hipokratit si profesionistë dhe në çfarëdo lloj situate që të ndodhemi nuk mund t’i mohojmë kujdesin shëndetësor askujt”, deklaruan ata gjatë dhënies së dëshmisë në polici.
Ndërkohë, 3 mjekët dhe 20-vjeçarja nga Kosova, e dashura e Dumanit pritet të dalin nesër para trupit gjykues në Elbasan ku do t’u komunikohet masa e sigurisë. Ndërsa Dumanit do t’i komunikohet masa e sigurisë në spital.
