Boshtjan Lesjak, personi i ngarkuar me punë nga Sllovenia në Kiev, ka vendosur të heqë flamurin slloven nga ambasada e këtij shteti në Ukrainë, pasi ai dhe flamuri rus kanë ngjyra të njëjta, të bardhë, blu dhe të kuqe, ndërkohë që flamuri slloven ka edhe një logo shtesë brenda.
“Me krenari e kemi ngritur flamurin slloven dhe atë evropian kur jemi rikthyer në Kiev”, u shpreh për mediat vendase Lesjak, i ngarkuari me punë në Kiev.
“Megjithatë, në mëngjes më kanë vizituar përfaqësuesit e gardës nacionale të Ukrainës të shoqëruar nga përfaqësues të policisë, të cilët me mirësjellje më pyetën nëse përkohësisht mund të heqim flamurin slloven, pasi ka ngjashmëri të madhe me atë rus”, vijoi më tej ai.

Theksojmë se ditën e hënë, Sllovenia ka rihapur ambasadën në Kiev, një muaj pasi që kishte evakuuar diplomatët e saj nga Ukraina si rezultat i pushtimit rus.
Ndërkohë, ambasadori slloven në Ukrainë, Tomazh Mencin, po vazhdon punën nga qyteti polak Rzeszowa i cili ndodhet shumë afër kufirit me Ukrainë.
