Pas disa orë kërkimesh, Policia ka mundur që të arrestojë Altin Markun si autorin e plagosjes së kreut të Njësisë Administrative në Kallmet në Lezhës. Besnik Simoni u qëllua 3 herë me armë zjarri.
Mësohet se pas një sherri në zyrë, Altin Marku ka marrë armën dhe ka qëlluar në rrugë 41-vjeçarin Simoni, duke e lënë të plagosur rëndë. Ndërkohë që mes të dyve ka pasur edhe një sherr në fushatën elektorale të vitit të kaluar por ende nuk është konfirmuar nëse ka qenë ky shkaku i konfliktit të sotëm.
“Rreth orës 13.30, në fshatin Kallmet, dyshohet se pas një konflikti verbal të nisur më parë në zyrë, është plagosur në rrugë, me armë zjarri pistoletë shtetasi B. S., me detyrë kryetar i Njësisë Administrative Kallmet, Lezhë, i cili është transportuar menjëherë për ndihmë mjeksore në spitalin e Lezhës. Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe vijon krehja e saj për të bërë të mundur kapjen e autorit të dyshuar A. M. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, si dhe fiksimin e çdo provë materiale që do t’i shërbejë hetimit, për zbardhjen dhe dokumentin e plotë të ngjarjes”, ka njoftuar policia e Lezhës.
