Gjatë fundjavës që kaloi, 6 shtetas kanë rënë në prangat e Policisë së Tiranës pasi i kanë ofruar para efektivëve rrugorë në këmbim të shmangies së gjobave apo bllokimit të mjetit. Raportohet se në rrugën “Asim Vokshi”, është ndaluar një drejtues mjeti që ishte duke përdorur aparatin celular gjatë lëvizjes me mjet. Gjatë kryerjes së veprimeve policore, drejtuesi i mjetit, shtetasi E. Sh., 26 vjeç, i ka ofruar punonjësit të Policisë, një shumë parash, për këtë shmangur masën administrative për shkeljen e kryer.
Gjithashtu, burime policore bëjnë me dije se Rrugën e Kavajës është ndaluar një shtetas që po drejtonte një mjet me xhama më të errësuar se norma e lejuar. Gjatë kontrollit të dokumentacionit rezultoi që këtij shtetasi i ishte pezulluar leja e drejtimit për një shkelje tjetër. Për të shmangur ndëshkimin administrativ, drejtuesi i mjetit, shtetasi S. Ç., 27 vjeç, i ka ofruar punonjësit të Policisë, një shumë parash.
Sakaq, një i ri 30-vjeçar është kapur me semafor të kuq, kurse një tjetër duke përdorur celularin në zonën e Laprakës. Të dy ata sipas policisë kanë tentuar të korruptojnë efektivët e rugorës, por pa rezultat. Në këmbim kanë marrë prangat.
Njoftimi i plotë policisë:
Policia Rrugore e Tiranës ka goditur gjatë 48 orëve të fundit, 6 raste të tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë, me qëllim shmangien e masave administrative.
Procedohen penalisht 6 drejtuesit e mjeteve që u ofruan para punonjësve të Policisë.
Shërbimet e Policisë Rrugore të Tiranës, në zbatim të masave shtesë të marra gjatë fundjavës, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, kanë intensifikuar kontrollet, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.
Gjatë kontrolleve parandaluese, në rrugën “Asim Vokshi”, është ndaluar një drejtues mjeti që ishte duke përdorur aparatin celular gjatë lëvizjes me mjet. Gjatë kryerjes së veprimeve policore, drejtuesi i mjetit, shtetasi E. Sh., 26 vjeç, i ka ofruar punonjësit të Policisë, një shumë parash, për këtë shmangur masën administrative për shkeljen e kryer.
Në Rrugën e Kavajës është ndaluar një shtetas që po drejtonte një mjet me xhama më të errësuar se norma e lejuar. Gjatë kontrollit të dokumentacionit rezultoi që këtij shtetasi i ishte pezulluar leja e drejtimit për një shkelje tjetër. Për të shmangur ndëshkimin administrativ, drejtuesi i mjetit, shtetasi S. Ç., 27 vjeç, i ka ofruar punonjësit të Policisë, një shumë parash.
Në rrugën “Kont Leopold Bertold”, është ndaluar një automjet, drejtuesi i të cilit është konstatuar duke vazhduar lëvizjen ndonëse sinjalizimi i semaforit e ndalonte atë. Drejtuesi i mjetit, shtetasi G. C., 30 vjeç, i ka ofruar punonjësit të Policisë, një shumë parash, me qëllim shmangien e ndëshkimit për shkeljen e kryer.
Në rrugën “Dritan Hoxha”, është ndaluar një drejtues mjeti që po përdorte aparatin celular gjatë lëvizjes me mjet. Gjatë kryerjes së veprimeve policore, drejtuesi i mjetit, shtetasi E. D., 22 vjeç, i ka ofruar punonjesit të Policisë, një shumë parash, me qëllim shmangien e masës adninistrative.
Në bulevardin “Zhan D’Ark”, është ndaluar një drejtues mjeti që po qarkullonte pa vendosur rripin e sigurisë. Drejtuesi i mjetit, shtetasi L. A., 23 vjeç, i ka ofruar punonjësit të Policisë, një shumë parash, për të shmanguar masën administrative për shkeljen e kryer.
Në bulevardin “Gjergj Fishta”, është ndaluar drejtuesi i një automjeti që po vazhdonte lëvizjen ndonëse sinjalizimi i semaforit e ndalonte atë. Gjatë kryerjes së veprimeve policore, drejtuesi i mjetit, shtetasi S. D., 44 vjeç, i ka ofruar punonjësit të Policisë, një shumë parash, me qëllim shmangien e ndëshkimit për shkeljen e kryer.
Në përfundim të veprimeve procedurale, të gjashtë drejtuesit e mjeteve u proceduan penalisht për veprën penale “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Policia Rrugore e Tiranës apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të mos tentojnë të korruptojnë punonjësit e Policisë, sepse do të përballen me ligjin.
