Policia Kufitare ka evidentuar dhe goditur një rast të tentativës për kalim të kufirit me dokumente të falsifikuara. Për pasojë, rasti më i fundit është regjistruar në pikën doganore të Kapshticës, ku 2 shtetas janë arrestuar pasi tentuan të kalonin kufirin me dokumente të falsifikuara.
Gjithashtu, në pranga ra edhe një shtetas francez, i cili i kishte pajisur këta dy shtetas, me dokumente false, kundrejt shpërblimit.
U sekuestruan si provë materiale edhe dy pasaportat që do të mundësonin kalimin e afrikanëve drejt vendeve të BE-së.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e rasteve të kalimit të kufirit me dokumente të falsifikuara, shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë evidentuan dhe goditën një rast të kësaj veprimtarive të paligjshme. Në vijim të veprimeve, shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Korçë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve M. M., 41 vjeç, K. P., 32 vjeç, të dy banues në Comoros, Afrikë dhe T. M., 59 vjeç, banues në Paris, Francë.
Në hyrje të Republikës së Shqipërisë, dy shtetasit afrikanë kanë paraqitur pasaporta franceze në emër të dy shtetasve të tjerë. Nga kontrolli i mëtejshëm që shërbimet e Policisë Kufitare kryen në sistem, këto dokumente rezultuan të dyshuara të falsifikuara.
Në bazë të hetimeve të mëtejshme hetimore dyshohet se shtetasi francez T. M. ka ndihmuar dy shtetasit afrikanë, kundrejt shpërblimit, duke iu siguruar atyre dokumentet e identifikimit, me premtimin për t’i kaluar në drejtim të vendeve të BE-së, nëpërmjet vendit tonë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Vijon….
