Konsumimi i çokollatave “Kinder Surprise” ka shkaktuar të paktën 63 persona të infektuar në Evropë me bakterin e rrezikshëm të Salmonelës. Pjesa më e madhe e të infektuarve janë nën moshën 5 vjeç, pasi dihet se këto çokollata konsumohen kryesisht nga fëmijët, por ka gjithashtu edhe të tjerë më të rritur, shkruan “Reuters”.
Në fakt, ky skandal shpërtheu pak javë para pashkëve, ku kompania “Ferrero” u detyrua që të tërhiqte nga tregu miliona produkte që kanë datën e skadencës nga 11 korriku deri në 7 tetor 2022 pasi u vu re se disa persona ishin infektuar me Salmonelë.
Shumica e produkteve u tërhoqën nga Britania e Madhe. Autoritetet shëndetësore vendase u kanë bërë apel konsumatorëve që të mos i hanë produkte të tilla sepse mund të shkaktojnë probleme shëndetësore serioze.
Dy ditë më parë erdhi një reagim edhe nga vetë kompania, e cila theksoi se po i tërhiqte produktet nga tregu pasi i frikësohej faktit se mund të përmbanin bakterin e rrezikshëm. Ky veprim i kompanisë erdhi pasi një mori rastesh që u konstatuan në Evropë dhe Mbretërinë e Bashkuar, ku disa pacientët, mes tyre shumë fëmijë, u dyndën nëpër spitale për të kërkuar ndihmë.
Simptomat që ata shfaqnin ishin kryesisht diarre, marrje mendësh, këputje, dhimbje koke dhe temperaturë.
