Gjykata e Tiranës ka dënuar me 3 vjet burg për ndërtim të paligjshëm këngëtarin Bojken Lako. Me gjykim të shkurtuar dënimi u konvertua në liri me kusht. Sot ai është pritur nga Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja.
“Nuk mund të kthejmë pas çka ndodhur, por mund të bëjmë që shërbimi i Bojkenit ndaj komunitetit të mos shihet si provë, por si kontribut, ashtu si ai ka ditur gjithmonë ta japë. E pse jo, të jetë shembulli i parë i një qasjeje dhe vizioni të ri që kemi për Shërbimin e Provës dhe në këtë panoramë të re, së bashku me Bojkenin, biseduam dhe dakorduam për një projekt mjaft interesant, të cilin e pres me padurim të vihet në jetë”, thekson Manja.
Në vendimin e gjykatës thuhet se Boiken Lako ka kryer punime pa leje në një magazinë të marrë me qira prej tij në zonën e njohur si ‘Nisheraku’, të cilën do ta kthente në studio muzikore.
Sipas gjykatës, Lako kishte marrë leje për kryerjen e disa punimeve hidraulike, elektrike, suvatime të mureve dhe tavaneve, shtrim me pllaka dhe restaurime të dritareve dhe dyerve të objektit, por ka ndërhyrë në godinë në hapjen e katër dritareve të reja.
