Nëntë personat e dënuar lidhur me tenderin e uniformave të policisë, kanë apeluar vendimin e shkallës së parë. Sipas abcnews.al, mësohet se çështja është regjistruar tashmë në Gjykatën e Apelit të Posaçëm dhe seanca e parë pritet të zhvillohet më 21 prill. Kjo dosje do të shqyrtohet nga gjyqtarja Ingerta Hysi.
SPAK nga ana e saj nuk ka bërë apelim për vendimin e 30 dhjetorit të dhënë nga gjykata, por kanë qënë vetë të pandehurit ata që kanë apeluar vendimin. Ju sjellim në vëmendje se në ditën e parafundit të vitit 2021 gjykata kundër korrupsionit dënoi me 1 vit burg dhe 5 vjet heqje e të drejtës për ushtruar funksione publike. Për këtë çështje u dënua drejtoresha e Ministrisë së Brëndshme Edlira Naqellari dhe shtetasit, Flutura Çekrezi, Ani Omuri, Anisa Bogdani, Fatmir Demneri, Mariglen Buzali dhe Kreshnik Bejka, Gëzim Mingaj dhe Aurora Mulla.
Të pandehurit për këtë çështje u gjykuan me gjykim të shkurtuar, duke përfituar edhe ulje me 1/3 të dënimit. Zyrtarët dhe ish-zyrtarët e Ministrisë së Brendshme u arrestuan vitin e kaluar pas një operacioni të udhëhequr nga SPAK lidhur me abuzimet për tenderin e uniformave të policisë në vitin 2020, vlera e të cilit arrin në 25 milionë euro.
Sipas SPAK, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me drejtoreshën e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, Edlira Naqellari kanë shkelur rregullat e prokurimit publik, barazinë në tenderë dhe kanë shkaktuar dëm ekonomik ndaj shtetit. Hetimet nisën pas kallëzimit të depozituar në SPAK nga deputetët e opozitës parlamentare rreth një viti më parë, duke ngritur pretendime se punonjësit e Agjencisë së Prokurimeve në Ministrinë e Brendshme krijuan kushtet për të paracaktuar fituesin e tenderit me vlerë 25 milionë euro.
