Përmbaruesi i arrestuar nga policia është identifikuar si Fatos Alimadhi dhe rezulton se është vëllai i ish-deputetit Adriatik Alimadhi, kryetar i partisë Ballit Kombëtar. Fatos Alimadhi akuzohet për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Më konkretisht, mësohet se një shtetas ka marrë kredi në emër të një subjekti dhe pas disa kohësh ka ndërruar jetë. Por kur ndërron jetë një person në një situatë të tillë, kredinë supozohet që ta mbulojë siguracioni i jetës, mirëpo Alimadhi u bllokoi llogaritë familjarëve të të ndjerit, madje pa i lajmëruar.
Në kuadër të këtij operacioni, u proceduan po ashtu penalisht në gjendje të lirë shtetasit S. D., dhe P. Q., me detyrë përmbarues privat, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Njoftimi i policisë:
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Account”, si rezultat i të cilit u bë ndalimi i shtetasit:
– F. A., 54 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi F. A., gjatë ushtrimit të funksionit si përmbarues privat, duke shpërdoruar detyrën, ka firmosur shkresa dhe vendime për sekuestro për bllokimin e llogarive rrjedhëse të një subjekti privat, pa e njoftuar këtë subjekt.
Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni, u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit S. D., dhe P. Q., me detyrë përmbarues privat, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
