Këtë të premte, ish-Ministri i Mjedisit, Lefter Koka doli para prokurorëve të SPAK-ut reth orës 10:00, ku për më shumë se 2 orë dha shpjegime mbi dhënien me koncension të Inceneratorit të Fierit. Në dëshminë e tij, Koka mësohet se ka hedhur poshtë çdo akuzë të bërë nga prokuroria, me pretendimin se ka zbatuar vetëm ligjin.
Prokurori që ka marrë në pyetje Kokën ishte Dritan Prençi, ndërsa procesi u krye në prani të avokatëve mbrojtës të ish-ministrit.
Nga sa kemi mundur të mësojmë, Koka ka treguar se ka respektuar ligjin dhe nuk ka kryer asnjë shkelje gjatë dhënies me koncension për ndërtimin e Inceneratorit. Gjithashtu, ai dha sqarime edhe për akuzën e shpërdorimit të detyrës, e cila lidhet me shpronësimin e sipërfaqes së tokës ku u ndërtuar inceneratori, gjë për të cilën prokuroria e akuzon se ka përfituar rryshfet prej 1.2 milionë eurosh.
Megjithatë, Koka ka mohuar këto akuza të prokurorisë dhe ka deklaruar se nuk ka përgjegjësi për shpronësimin, pasi dokemuntacioni është përgatitur nga ekspertët e ministrisë së mjedisit.
Kujtojmë se Lefter Koka akuzohet edhe për Inceneratorin të Elbasanit, për të cilin SPAK pretendon se ai ka marrë ryshfet 3.7 mln euro për ndërtimin e tij.
