Ish-deputeti socialist Alqi Bllako i cili u arrestua për shkak se rezultoi i përfshirë në çështjen e inceneratorëve, ka kërkuar një masë më të butë sigurie.
Bllako ka kërkuar nga gjykata që të lirohet nga burgu, me pretendimin se është person që nuk paraqet rrezikshmëri dhe se nuk ka tendencë që të largohet dhe t’i shmanget hetimit.
Ndërkohë, ish-deputeti Bllako akuzohet për shpërdorim detyre dhe korrupsion, në lidhje me aferën e inceneratorit të Fierit.
Hetimet kanë nxjerrë në dritë se gjatë kohës që ai mbante postin e sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, në bashkëpunim me ish-ministrin Lefter Koka dhe ish-kryetarin e Komisionit të Shpronësimit Pëllumb Abeshi, kanë falsifikuar dokumentin në lidhje me sipërfaqen e tokës ku u ndërtua inceneratori duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit prej 16 milionë lekësh.
Gjithashtu, Bllako dyshohet se ka favorizuar biznesmenin Klodian Zoto për ndërtimin e inceneratorit dhe për këtë ka përfituar rryshfet prej 14 milionë lekësh.
