Emanuel Loku, alias Ferdinand Luka, është arrestuar nga njësia speciale e Policisë “FAST Albania” teksa ishte nisur nga Kurbini për në Tiranë. Ky shtetas është dënuar me 5 vite burg për vjedhje nga Gjykata e Ankonas dhe tashmë pritet të ekstradohet për të vuajtur dënimin.
“FAST Albania, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative për 1 shtetas shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, i cili po qarkullonte nga Kurbini në drejtim të Tiranës, menjëherë është organizuar operacioni policor i koduar “Ancona”.
Si rezultat i mirëkoordinimit të FAST Albania, Komisariatit të Policisë Kurbin dhe Interpol Tirana, u bë e mundur kapja dhe vënia në pranga e shtetasit shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar Emanuel Loku (alias Ferdinand Luka), 53 vjeç, i lindur në Krujë.
Gjykata e Ancona-s, Itali, e ka dënuar këtë shtetas me 5 vjet burgim për veprat penale “Vjedhja”, në rrethana rënduese dhe “Mbajtja dhe shitja e sendeve të vjedhura”, të parashikuara nga Kodi Penal italian. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Roma, po vijon punën për plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm, me qëllim ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë”, njofton Policia.
