Albana Saliçe, 51 vjeçe, ndërroi jetë sot pasi trajtua në spitalin e Korçës. Ajo vdiq në shtrat dhe bashkëshorti u befasua kur nuk po merrte më frymë.
Rreth orës 03:00 të mëngjesit çifti Saliçe u paraqit në urgjencë për shqetësime shëndetësore të gruas, por pasi u trajtua aty, ajo u kthye në shtëpi ku edhe ndërroi jetë.
Bashkëshorti akuzoi bluzat e bardha për pakujdesi në mjekim dhe konkretisht shefin e repartit të urgjencës Çelnik Fetallari.
Policia ndaloi mjekun dhe ai ka dëshmuar para oficerëve të policisë gjyqësore. Mjeku Çelnik Fetallari ka deklaruar para uniformave blu se zonja ka ardhur në urgjencë për të marrë mjekim pasi nuk ndihej mirë. “Erdhi në urgjencë me dhimbje gjoksi. I bëmë të gjitha kontrollet. I bëmë EKG e zemrës, i doli shumë mirë. S’kishte probleme. Edhe në analizat, doli mirë. Nuk kishim pse ta mbanim në spital pasi u qetësua’, ka dëshmuar ai.
Mësohet se shefi i urgjencës të ketë mohuar faktin e dhënies të ndonjë injeksioni siç u shpreh bashkëshorti i viktimës. Më konkretisht ai nuk ka folur për asnjë injeksion ose gjilpëre të bërë ndaj viktimës. Dyshimet paraprake për vdekjen e 51 vjeçares lidhen me problemet kardiake, dhe faktin që ajo mund të ketë pësuar infarkt.