Pas kërkesës së bërë nga kryeministri Edi Rama ndaj SPAK që kjo e fundit të nisë hetimet për Sali Berishën shpalljes së tij “Non Grata” nga SHBA, ka ardhur dhe reagimi ish-kryeministrit.
Në konferencën e mbajtur paraditen e sotme, Rama bëri sërish thirrje që të hetohet Sali Berisha, duke theksuar se nëse rezulton që nuk ka fakte për Berishën, vet ai do t’i kërkojë llogari për ish-kryeministrin.
Por Berisha i është përgjigjur kreut të qeverisë duke thënë se ai është në panik të madh dhe po mundohet që të shmang vëmendjen nga problemi kryesor që është varfëria. Në një konferencë me gazetarët e cila është duke u zhvilluar, ish-kryedemokrati e akuzoi Ramën se qeveria e tij vijon të vjedhë vazhdimisht duke përdorur asetet publike.
“Kreu i organizatës kriminale të hajdutëve të inceneratorëve. Në një panik të jashtëzakonshëm, merret me drejtësinë dhe me kundërshtarët e tij politik. Shkaqet janë madhore. Edi Rama beson se me këto qëndrime të tij që shëmbëllejnë apo janë për Korenë e Veriut apo regjimin e etërve të tij, ka disa synime. Pikë së pari të tërheq vëmendjen e qytetarëve që po përballen me vështirësi shumë të mëdha për shkak të kësaj qeverie e cila vetëm vjedh. Krijon vetëm mekanizma vjedhje”, deklaroi Berisha.
