Teksa zhvillohej mbledhja e Komisionit të ligjeve në të cilën ishte i pranishëm Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja për të raportuar në lidhje me Reformën në Drejtësi, Kryetari i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj nuk ka ngurruar të pyesë ministrin për dosjen 184 të vjedhjes së zgjedhjeve në Dibër, në të cilën ai ka qenë i përfshirë.
Alibeaj e konsideroi çështjen e vjedhjes dhe blerjes së votave në Dibër si një dështim të drejtësisë, ku në përgjimet e medias ndërkombëtare del edhe emri i Manjës që sot mban postin e ministrit në këtë dikaster.
“Fryma e ndryshimeve kushtetuese ishte distancë substanciale mes politikës dhe drejtësisë. Pse nuk bëtë te njëjtin presion për dosjen 184?”, – u shpreh Alibeaj.
Kujtojmë se pjesë e kësaj dosjeje, u bënë emra të njohur të politikës, te cilët dolën në përgjimet e publikuara nga BILD.
Në përgjime dolën Edi Rama, Damian Gjiknuri, Ulsi Manja, Pjerin Ndreu dhe zyrtarë të tjerë të lartë socialistë.
Prokuroria e Dibrës përfundoi një vit më parë hetimet për dosjen 184 dhe mori të pandehur 4 persona, pas 4 vitesh nga zgjedhjet lokale për kryebashkiakun e Dibrës.
Përgjegjës për shkeljen e ligjit për dosjen e etiketuar 184 janë ish shefi policisë në vitin 2016, Robert Aga, ish kreu arsimit, Drini Gjeci, një zyrtar në njësinë administrative Tomin, Nuri Meda, dhe Hasan Hoti i cili ishte zyrtar i njësisë administrative Lurë.
Dosja 184 kaloi të paktën 5 herë nga Dibra në Tiranë tek Krimet e Rënda dhe e parafundit në SPAK.
Por SPAK shpalli mos kompetencë duke i kërkuar Dibrës ta mbyll ketë hetim. 4 personat që kanë dalë sot në Gjykatë janë marrë të pandehur për shpërdorim detyre dhe kanosje të zgjedhësve dhe rrezikojnë të dënohen nga 1 deri në 7 vite burg.
