Ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo po zhvillon një vizitë në Shqipëri në kuadër të 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-SHBA. Gjatë kësaj vizite, ai është takuar edhe me kryeministrin Edi Rama.
Pompeo mori pjesë gjithashtu në nënshkrimin e marrëveshjes për deversifikimin e tregut të gazit, një nga çështjet më të debatueshme në Europë, pas nisjes së agresionit rus ndaj Ukrainës. Marrëveshja për gazin, merr një rëndësi strategjike që e kalon hapësirën shqiptare dhe atë ballkanase dhe që lidhet me pavarësinë e Europës nga gazi rus.
“Me Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo, në një tjetër hap të rëndësishëm drejt përmbushjes së vizionit Shqipëria2030 eksportuese neto e energjisë. Furnizimi me gaz përmes Terminalit të Ri, që do të ngrihet në Vlorë, tanimë po zgjon interesa të shumanshme”, thuhet në postimin e kryeministrit Rama në rrjete sociale.
Më pas, Universiteti i Tiranës do të nderojë ish-Sekretarin amerikan të Shtetit me titullin e lartë, “Doctor Honoris Causa”.
