Nga Edmond Arizaj
Ai tashmë mund të quhet i institucionalizuar me burgun 313. Dosja e tij ka fletë të verdha, gri dhe të bardha. Ai flet vetëm kur pyetet. Gjithçka e tij sillet rreth rregullores, disiplinës, detyrës, ligjit. Një ndër mijëra e mijëra shqiptarë që thjeshtësinë dhe modestinë e ka pjesë të pandarë të jetës, që e pranon jetën ashtu si erdhi dhe si e zgjodhi, pa shumë ankesa. Tashmë ai jeton në dy botë: Një që po e lë pas shpine, punën, dhe një që pret ta gjejë përpara, pensionin. Nën/Inspektor Gëzim Brami…E di, nuk të thotë asgjë ky emër. Nuk ka vrarë. As ka vjedhur. As ka mashtruar. Nuk ka përfituar kurrë asgjë. Ndaj nuk ke si të kesh dëgjuar për Gëzimin. Vetëm rrogën. Punën. Përkushtimin. Madje më jep përshtypjen e vetmohimit.
A ke një jetë përtej 313?
Unë kam vetëm 313 dhe shtëpinë.
Kjo është jeta?
Në shtëpi, këtu. Këtu, në shtëpi. Asnjë lloj tjetër.
E sheh si punë që do të çosh një rrogë në shtëpi, si punë që u shërben qytetarëve, apo sikur ke ngecur këtu?
Dikush duhet ta bëjë edhe këtë punë. Ne iu përkushtuam punës. Me pasion. Me vështirësi, sidomos të asaj kohe, por me pasion. E dija unë, me atë rrogë do të mbaja familjen, do zbatoja rregullat që ishin në fuqi. Nuk më mori njeri me zor. Bëra kërkesën, u vesha. I jam përkushtuar punës. Për disa vite me rradhë nuk kam bërë as leje të zakonshme.
“Sidomos asaj kohe” thotë Gëzimi, sepse ka nisur punë në burgun 313 në 16.02.1984. Një përjetësi. Nuk ka lëvizur prej aty, me përjashtim të dy-tre muajve në Bulqizë. Pothuaj e ka fikur “rregjistruesin” e asaj kohe. Sikur është ngrirë në kohë.
Marrëdhëniet me të burgosurit si kanë qenë, tani dhe para ‘90?

Para ‘90 nuk kishe mundësi të ndihmoje, nuk bënim muhabet me të burgosurit. As nuk bënim muhabet me shokët përse ishte dënuar filani, apo fistëku, nuk na interesonte ajo pjesë. Ne thjeshtë: hap derën, mbyll derën, nxirr në tualet, jepi ushqimin, shoqëroje.
Të burgosurit e dinë që nuk presin gjë nga polici. Kur nuk kishte çakmak i ndiznim cigaren. Kërkonte komandantin, mjekun, apo dikë tjetër. Ne thjesht bënim lajmërimin dhe kaq.
Pra në kaq vite ti nuk ke shkëmbyer ndonjë muhabet me një të burgosur?
Nuk të lejonte njeri. Edhe tani nuk kam mundësi t’I them. Hap derën, mbyll derën.
Po rrogën sa e ke pasur në atë kohë?
Po 5200 lekë (të vjetra). Edhe për çdo vit pune shtohej 100 lekë (të vjetra). Pasi arrije në 5800 lekë (të vjetra) për rolin tim nuk rritej më.
Ndonjë histori që ty të ka bërë përshtypje?
Mua nuk më intereson për çfarë akuzohet. Më intereson ta siguroj. T’I siguroj të drejtat. Jo ta pyes. Kush po hynte të bënte muhabet se çfarë ka bërë njëri e tjetri. Mbaron tetë orëshi dhe të ikje se ka qenë një stres i madh.
Aaaa kur vjen puna tek stresi, Gëzimi është pothuaj nën pushtetin e tij.
Si është të punosh në burg?
E vështirë është. Çdo punë ka vështirësitë e veta, por e vështirë është, I mbyllur tetë orë në shërbim, ambinetet më përpara s’kanë qenë dhe kaq të mbajtura. Burgu ka qenë më I errët dikur, të burgosurit pa krevatë, flinin në dysheme, nuk kishin dyshekë, flinin në batanije, dhomat me dërrasa, pastaj ka filluar të ndryshojë situate, marrin frigoriferë në dhoma, televizorë, godina të reja e të pastra.
Po nuk ulesh me shokët?
Jo për Zotin. Lë tetë orarëshin iki në shtëpi, qetësohem. Se 38 vjet me burgjet është super stress.
Si e përballon?
Me vështirësi. Nuk pi qetësues, por me vështirësi.
Keni psikologë këtu?
Janë për të burgosurit.
Ti Gëzim je më I gëzuar kur vjen në punë, apo kur ikën nga puna?
(Mendohet) Të dyja njësoj…
Më gënjeve më duket…

Të dyja njësoj, edhe I gëzuar kur vij në punë, po edhe I lodhur kur iki nga puna.
Më shumë gëzohesh kur ikën më duket?
Po mirë normale. Se rri tetë orë I tensionuar, pastaj vete në shtëpi.
Shtëpia. Është vendi ku Gëzimi lidh gjithçka me ditën kur të dalë në pension. Një pension që duket se e mezipret, por edhe sikur I kall ngapak frikë. Supersticioz, por edhe I vendosur ta mbyllë me nder.
Çfarë ëndërron ti për veten tënde?
Unë ëndërroj të mbush edhe ato dy vjet që kam punë, të jem mirë me shëndet, sa të kem kismet të rroj të marr një pension.
Kaq ëndërron?!
Kaq. E kam mbyllur kapitullin tim. Ama deri në ditën e fundit do punoj ta mbyll me nder.
A e ke menduar se si do të jetë jeta jote pasi të dalësh në pension?
Unë nuk e di a do arrij deri atje…
Larg qoftë. Ti do vesh 200 vjeç…
Lere 200 vjeç se streset tona vallahi. Se kemi kolegë që kanë dalë në pension dhe kanë pësuar situata të vështira.
Më thuaj çfarë ke menduar të bësh pasi të dalësh në pension?
Hiç. Do rri. Do pushoj. Do mbledh kujtimet e mia, ça kam bërë, si kam punuar. Do pi një kafe. Do bëj ndonjë pazar. Ça të ndihmoj në shtëpi. Mund të vejë dhe dhjetë vjet pension, po mund të vejë edhe një vit. Jemi në moshën që kalojmë mbi mina, 63 vjeç i lashë.
63 vjeç. 20 vjeç ka hyrë në uniformë. Një jetë e tërë “urdhëro-siurdhëron”. Vallë të jetë mërzitur ky njeri nga kjo punë? A do ndryshonte sikur të kishte mundësi? Nëse bisedonte me Gëzimin me flokë të zeza, çdo t’i këshillonte?
Sikur ti ta kthesh kokën pas në 1984, çfarë do t’i thoshe atij Gëzimit 20 vjeç?
Ça t’I them? Do I them të punoj. Të zbatoj rregulloren. Të zbatojë ligjin. Detyrën ta kryejë më së miri.
Atij Gëzimit të atëhershëm do t’I thoje puno tek burgjet, duke e ditur se si janë këto 38 vjet?
Tani edhe mund të punohet tek burgjet, se nuk është ububu. Se vështirësi ka edhe rendi.
Dmth ti Gëzim jashtë uniformës nuk merr dot shembuj të tjerë?
Unë jam I brumosur me rrobën ushtarake.
Po gjithë kohës vetëm nën urdhëra Gëzim?
Nën urdhëra kam qenë gjithë kohës. Urdhëro. Siurdhëron.
Po nuk do t’I thoshe atij Gëzimit, o djalë merr një rrugë tjetër?
Po ku të vejë ai?
Jo vetëm të urdhërohet, po edhe të urdhërojë…
Do bëhet ajo punë, në mos një Gëzim, një Gëzim tjetër do e bëjë. Se shërbimet nuk do të rrinë pa punonjës policie.
Ta lidh me devotshmërinë këtë përgjigje të Gëzimit, apo me pamundësinë për të ndryshuar diçka? Apo ka shkuar aq mirë me të burgosurit përgjatë viteve, sa stresi tashmë I është kthyer në varësi?
Probleme me ndonjë të burgosur?
Jo të mëdha, po kështu sharje, ofendime, të bërtitura. Ai është i dënuar me burgim të përjeshtshëm, të shan, çfarë do I bësh? Mban atë shënimin për komisionin disiplinor. Kur e ke marrë këtë profesion, I ke marrë parasysh edhe vështirësitë dhe rrisqet. Se ka pasur raste kur edhe I kanë goditur policët.
Kush I ka godit?
Të burgosurit. Policin tonë e plagosën tek Vasil Shanto para 13-14 vjetëve mos gaboj, dhe ka shpëtuar në fije të perit.
Kur kanë qenë vitet më të vështira për ju?
1997, rrëmuja, burgu thye, u hap. Por një javë ishte. Por s’kishin punë me policinë. Asnjë polic nuk u prek. Pastaj më e vështira për mua ka qenë koha e shpërthimit të ambasadave. Merr qytetarë andej, sill këtu, merr me autobuza, shpërnda, ik andej, hajde këtej, burgu plot, katet e para. Njerëz nga të gjitha qytetet, s’bëhej fjalë për qeli, ishte mbushur oborri, sheshi. I shoqëronin këta të 88-ës, forcat speciale.
Po ngjarja më e rëndë me të burgosurit?
Ngjarja më e rëndë… ne na kanë ikur 25 të burgosur këtu, nuk e mbaj vend vitin, nga pjesa e kaushit. U ça muri. Pas ’90 ka qenë si ngjarje. Një pjesë u kapën. Pastaj ka pasur dhe një tentativë arratisje nga ajrosja.
Na riktheu edhe njëherë në vitet ’90. Po cilët kanë qenë emrat më të njohur politikë që kanë provuar qelitë e 313…
Të gjithë kanë qenë këtu, nga Ramiz Alia, Fatos Nano, byroja politike e gjithë. Para se të merrnin dënimin. Pastaj edhe tek ministrat së fundmi (E ka fjalën për Saimir Tahirin dhe Lefter Kokën).
Një njeri I mbyllur brenda rregullave, brenda ligjit, brenda uniformës, brenda të njëtjit institucion prej 38 vitesh, nëse do kishte mundësinë t’I thoshte dy fjalë Ministrit të Drejtësisë, apo kryeministrit çdo t’I thoshte vallë? Çdo kërkonte?
Çfarë do I kërkoje Ministrit të Drejtësisë, apo Kryeministrit po të kishe mundësi?
Ministrit…Bëra kaq vjet që punoj, hera e parë që ne morëm një rrogë shpërblim dhe besoj jo vetëm unë por gjithë stafi ka dhënë dhe jep urimet më të mira për të. Dikur merrnim një vakt ushqimi këtu, sikur të futej sërish, mirë do të ishte për efektivin se tetë orë brenda; po turni i tretë që është edhe nëntë orë, është e lodhshme. Të marrësh ushqim brenda nuk lejohet. Edhe uniformat. Unë jam ushtarak 43 vjet. E kam të ngjitur në mish uniformën.
Wowww. Falënderime dhe asnjë kërkesë jashtë “rregullores”. I bëj Gëzimit dhe disa pyetje që kërkojnë vetëm përgjigje të thjeshta, po, ose jo.
A ke ndonjë masë disiplinore?
Me sa mbaj mend jo.
A ke përdorur ndonjëherë dhunë?
Jo.
A ke dashur ndonjëherë të ikësh nga kjo punë?
Po.
A e ke thyer ndonjëherë urdhërin?
Jo.
A e ke përplasur ndonjëherë kapelen në tokë?
Jo.
A ke ndihmuar ndonjëherë një të burgosur?
S’kam çfarë ndihme t’I jap të burgosurit.
A ju ka kërkuar ndihmë ndonjëherë ndonjë I burgosur?
Vetëm çfarë përmban rregullorja.
A ke miqësi me ndonjë ish-të burgosur?
Jo.
A je përshëndetur rastësisht me ndonjë ish-të burgosur?
Po. Ka thënë vetëm “Komandant faleminderit”.
A je zënë ndonjëherë me ndonjë koleg?
Jo. Po ça do ndanim ne me kolegët. Po të mërzitej ai, mërzitesha dhe unë.
A të duket se je institucionalizuar me burgun? Je bërë pjesë e burgut.
Po. U bënë kaq vite. Po.
Tani dua një përgjigje të sinqertë për këtë pyetjen. Ke 38 vjet punë, ke kursyer ndonjë lek?
Shumë pak.
Dhe këtu, hyjmë në një rrëfim të trishtë, të bashkëshortes së tij, e cila ka kryer një operacion të vështirë pak kohë më parë…
Bëra nusen operacion para pak vitesh. Hoqi një veshkë. Mos të kisha djalin atje (Australi) nuk e përballoja dot. Do merrja borxh. Ishte një operacion që kushtoi shumë. Të mos kisha djalin andej, të rrimë shtrembër e të flasim drejtë nuk do e përballoja dot, gati 3.5 milionë (të vjetra). Aq kërkonin mjekët tek Spitali …(privat).
Jemi në fund. Ndoshta ka ndonjë sekret për ta ndarë, I them duke qeshur. Por ai më bën rezymenë më trishtuese dhe që nuk do të doja ta dëgjoja. Por është përmbledhja e jetës së njeriut të thjeshtë, atij që pothuaj nuk e njohim, që e shohim kudo, por nuk e dimë se egziston. Eshtë përmbledhja e jetës së njeriut që gjithçka, aq s aka mundur, ia detyron vetëm punës së tij, mundësive të tij, fatit pse jo dhe që kërkon veç pak ditë të qeta për të mbledhur kujtimet, ëndërrat e që përgatit të ardhmen e tij pa uniformë.
Ça sekreti. Jeta iku. Po mbyllet avash- avash. Këtu ka pasur edhe punonjës që kur janë liruar kanë derdhur lotë, kemi punuar bashkë, kemi ndarë bukën. Se është edhe pasion kjo punë. Po ja do vimë të takojmë kolegët, fillimisht më shpesh, pastaj më rrallë, sa të të lëjë Zoti. Kam pasur një koleg, shok të hershëm. Lotoi kur iku. Sepse kjo punë na mbajti ne, na mbajti familjen.
(Gëzim Brami: Datëlindja, 20.04.1959, vendlindja, Berat)
