Ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale se shembja e Teatrit Kombëtar dy vjet më parë mbetet një plagë e hapur në zemër të Tiranës. Sipas Bashës, qeveria e shembi kodinën e TK-së pa patur asnjë arsye.
Ish kryedemokrati vijon më tej, duke thënë se ai shesh është vija ndarëse mes “atyre që duan Shqipërinë demokratike dhe pjesës tjetër që shkatërron një nga institucionet më të shtrenjta të kombit.”
Postimi i Bashës në Facebook:
“Prej dy vitesh teatri është një plagë e hapur në zemër të Tiranës. Një plagë që sëmbon prej mosarsyeve që e shkaktuan atë dhe që janë të njëjtat me ato që e kanë mbajtur peng vendin këto 9 vite: arroganca, korrupsioni, klientelizmi, paratë e krimit dhe armiqësia e verbër ndaj trashëgimisë kulturore.
Sot ai shesh, i zhveshur dhunshëm nga historia e tij, është një tjetër vijë ndarëse midis qytetarëve që duan një Shqipëri demokratike dhe një pakice që shkatërron, plaçkit, uzurpon një nga institucionet më të shenjta të kombit.
Mirënjohje të thellë për artistët, qytetarët dhe qëndrestarët që nuk u pajtuan kurrë me marrëzinë e një regjimi që dialogun e kryen me fadroma dhe dhunë shtetërore. Gjykata Kushtetuese provoi se beteja në mbrojtje të Teatrit Kombëtar ishte e drejtë dhe tani është koha që drejtësia të shkojë deri në fund, duke nxjerrë përpara përgjegjësive ata që barbarisht sulmuan kulturën, qytetarinë dhe trashëgiminë tonë të përbashkët.“
Kujtojmë se shembja e Teatrit Kombëtar u pasua me një sërë protestash dhe përplasje mes qytetarëve e aktivistëve dhe forcave policore ndërsa në vend kishte pak muaj që ishin konfirmuar rastet e para me koronavirus. Në krahun e protestuesve doli edhe opozita.
