Dikur simbol i regjimit totalitar, sot Piramida e Tiranës po merr formën e një qendre të jashtëzakonshme, që do të shërbejë si pika më e madhe e teknologjisë kreative në Ballkan.
Gjatë inspektimit të punimeve me Kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e Bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Michael Granoff, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tregoi disa detajet e projektit, që po merr jetë çdo ditë.
“Kemi 16 kuba individuale, të cilat duken sikur janë të “hedhura” nga dora e një fëmije, që ngjasojnë me lojën e njohur LEGO. Ideja është që këto hapësira do të jenë për përdorime të ndryshme, në funksion të vizitorëve të Piramidës; do të ketë kompani të IT-ve dhe Start-up. Sa i përket hapësirës, kemi mbjellë gati 200 pemë, të cilat janë të rritura, ashtu si në Sheshin “Skëndërbej”. Kalimi nga Kryeministria në Bulevard do jetë në formën e një pylli. Kemi mbaruar thuajse 90% të punës”, shpjegoi Veliaj.





