Shkrimtarja dhe deputetja e PD-së Flutura Açka ka shprehur indinjatën e saj për lajmet në media. Teksa shprehet e revoltuar për lajmin ku ajo shfaqet duke ecur me bastun, deputetja demokrate thekson se në media nevojitet një raport më i drejtë mes lajmin dhe anës njerëzore.
“E di, media ka gjithë të drejtën ta bëjë bastunin tim njerëzor lajm parlamentar, por në respekt edhe të thelbit të jetës sime, duhet të kishte bërë lajm që këtë javë publikova edhe librin tim më të ri “Tulipanë të vonuar”, të cilin lexuesi im do ta marrë pa patur nevojë për shumë zhurmë.
Nga një kujdes etik, pikërisht se jam deputete dhe nuk më takon të abuzoj asnjë çast me te qenët politikane – një gjë e përkohshme në jetën time – unë sakrifikova çdo lajm për librin tim të ri. Kështu që në njoftime si këto, do të më kishte pëlqyer të përmendej qoftë shkarazi libri im i ri, një gjë po aq njerëzore në jetën time.
Atëherë po, do të thoja se ka një drejtpeshim mes njerëzores dhe njerëzores”, shkruan Açka.



