Gjatë një konference të mbajtur sot me gazetarët, ish-kryeministri Sali Berisha foli për disa çështje, ku nuk la pa përmendur edhe ardhjen e presidentit të Këshillit Evropian në Shqipëri, Charles Michel Berisha tha se e përshëndet vizitën e liderit të lartë evropian, ndërsa i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të nisë hapja e negociatave me Shqipërinë.
Mes të tjerash, Berisha shtoi se Rama po përpiqet që të paraqesë se shkaku që ende nuk janë hapur negociatat është Bullgaria, por sipas tij është një trillim.
“Sot në Shqipëri është Presidenti i KE-së, unë e përshëndes vizitën e tij, një vizitë është mbështetje, por përpjekja e Ramës për ta paraqitur murin bullgar si pengesë për hapjen e negociatave janë fund e krye trillim. Nuk është muri bullgarë, por muri i krimit, i vjedhjeve, i drogës ato që qëndrojnë në të vërtetë si faktor që mbyllin dyert Shqipërisë për hapjen e negociatave. Megjithatë jam këtu për t’i bërë thirrje BE dhe vendeve anëtare së pari të hapin negociatat me Shqipërinë, siç tregonte me objektivitet rezoluta e Parlamentit Europian, Shqipëria nuk i ka plotësuar kushtet, por mendoj se hapja e negociatave dhe qëndrimi në kapitujt përkatës për kushtet është mënyra më e drejtë që qytetarët shqiptarë të vetëdijesohen se ku qëndroj shkaku i vërtetë i bllokimit, te mosplotësimi i kushteve, ndaj dhe unë uroj dhe shpresoj të predominojë ky mendim, i cili në një farë formë është shprehur dhe një vit më parë nga Bundestagun Gjerman”, tha Berisha.
