Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali i përgjigjet kryetarit të PD-së, Sali Berishës në lidhje me akuzat e tij për lirinë e medieve.
Ndërsa në Kuvend u prezantua raport i veprimtarisë së Autoritetit të Mediave Audiovizive për vitin 2021, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali duke iu përgjigjur Berishës theksoi se, ti për familjen tënde je i gatshëm të djegësh jo partinë por Shqipërinë.
“Kur del ti dhe flet për lirinë e medies urojmë mos ti vij kujt të ulërijë. Se përmend ti Edi Ramën si në krye të regjimit, po Edi Rama është simbol i gazetarit të dhunuar nga regjimi yt. Koha kur selitë e gazetave digjeshin ka kaluar dhe ikur me kohën e Sali Berishës nga Presidenti i Republikës. Koha kur gazetarët plagoseshin në protestë ka shkuar. Koha e Berishës kur televizioneve u viheshin shiritat. U shkonin tatimorët te dera dhe u bllokonin llogaritë bankare, Sali ka kaluar me perëndimin tënd dhe me ikjen nga pushteti. Nuk duhet harrur një gjë të gjitha të zezat që i kanë ndodhur medieve dhe lirisë së medieve në këtë vend janë pjesë e damkës që të është venë ty mbi minimin e demokracisë në Shqipëri. Është e habitshme se si mund të flitet për politizim të AMA-s dhe kryetaren e AMA, e cila ka 10 vite pa shkelur në PS”, tha ajo.
Spiropali shtoi se, këtu në Kuvend ngrihet një njeri për lirinë e mediave që është damkosur ndërkombëtarisht në raportin e tij me lirinë e medias dhe të gjitha liritë e tjera.
“Është e habitshme si mundet të ngrihet një njeri i tillë këtu dhe të flas dhe me entuziazëm të shtuar. I ka dhënë entuziazëm fakti ku mundi partinë e tij. A mund të gëzohet një njeri që i ka vënë shkelmin në fyt partisë së tij? Po zgjedhjet në parti i fitonte dhe Luli. A doli dhe tha beteja të reja na presin. Për të fituar beteja në parti që për 30 vite sundohet prej teje. Për këtë paskeni luftuar të gjithë. Dhe thoni se më kanë frikë. Po ku ka sot kundërshtarë më të mirë se ty për ne? Ku ta gjejmë të kemi përballë por nuk e meriton Shqipëria këtë faturë, këtë opozitë, nuk e meriton ky vend këtë katandisje”, tha ajo.
Berisha: Situata e medieve në Shqipëri dramatike
Në fjalën e tij në Kuvend, Berisha u shpreh se AMA funksionon si institucion i censurës.
“Si asnjëherë në historinë e këtij institucioni Edi Rama dhe mjerisht peng Basha emëruan Kryetar dhe zv/kryetar të AMA njerëzit më të besuar të tyre. Në vend që ai institucion të drejtohej nga përfaqësues të pavarur të mediave. Është e kotë të diskutosh se kurrë ndonjëherë nuk ka patur këtë shkallë ekstreme politizimi me gjithë kërkesën e medieve, institucioneve ndërkombëtare që ky institucion të jetë i balancua, më i pavarur më i paanshëm. Ndaj dhe nuk ia vlen ti kushtosh asnjë minut më shumë institucionit të AMA-së, por do ndalem në gjendjen dramatike që ekziston për mendiet e lira në Shqipëri”, tha ai.
Berisha theksoi se, dy janë armiqtë kryesor të medieve në Shqipëri, njëri quhet Edi Rama i cili përveç sjelljes të dhunshme verbale, përveç fyerjeve, ndëshkimeve ndaj gazetareve për shkak të pyetjeve që i bëjnë.
“Ai krijoi dhe Agjenci e Dezinformimit i frymëzuar nga regjimet autokratike. Përgatiti ligjet për të dënuar të gjitha portale që nuk i nënshtrohen atij. Ndërmerr sanksione dhe ushtron presion mbi pronarët e medieve”, tha ai.