Këtë të mërkurë, SPAK ka tërhequr të gjitha dosjet nga Prokuroritë e rretheve në të cilat përfshihen emrat e Talo Çelës dhe Nuredin Dumanit.
Fill pas kryerjes së operacionit ‘Plumbi i Artë’, në kuadër të të cilit u lëshuan 32 urdhër-arreste, disa çështjet të pezulluara tashmë SPAK do i hetojë si grup kriminal.
Kujtojmë se pas pranimit të Nuredin Dumanit dhe Henrik Hoxhajt për të bashkëpunuar me drejtësinë dhe për të rrëfyer me detaje krimet që ata kishin kryer, autoritetet arritën të godisnin 8 grupe kriminale në vend.
Nga dëshmitë e tyre janë zbuluar 32 persona të akuzuar për dhjetra krime të rënda. 9 prej tyre ndodheshin në burg, 9 u arrestuan ndërsa 14 persona iu shpëtuan policsë. Mes tyre emra të njohur të botës së krimit, si Talo Çela, Florenc Çapja, Ervis Martinaj apo dhe Suel Çela.
Sipas hetimeve, dyshohet se Nuredin Dumani u tradhtua duke u nxjerrë në pritë. Rezulton që i vetmi që ka pasur dijeni për lëvizjet e tij, ka qenë bashkëpunëtori Henrik Hoxhaj, i arrestuar pas atentatit të ndodhur në Papër, ku dumani u plagos. Dumanit dhe Hoxhajt sapo iu dështoi vrasja e biznesmenit Elton Kila.
Nga të dhënat, rezulton se Henrik Hoxhaj u kontaktua nga anëtarë të grupit kriminal të Talo Çelës, për të nxjerrë në pritë Nuredin Dumanin, në Papër të Elbasanit dhe Hoxhaj u ka dhënë atyre koordinatat e sakta.
Pas atentatit, Duamani ka telefonuar Henrik Hoxhajn duke i thënë se është plagosur. Ata shkuan në Fier në banesën ku edhe u kapën nga policia. Pasi ka marrë mjekimin, Dumani ka ngritur dyshime tek miku dhe bashkëpunëtori i tij Henrik Hoxhaj, pasi sipas tij, vetëm ai kishte dijeni për vendndodhjen. Dumani rezulton që e ka telefonuar vetë policinë duke treguar vendndodhjen.
