Pas bisedës mes presidentëve të Serbisë dhe Rusisë për marrëveshjen e re të gazit ndërmjet dy vendeve, publiku mësoi më shumë detaje rreth gazit nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër mësoi se në agjendë ishte edhe Kosova.
Serbia është kryesisht e varur nga gazi rus dhe marrëveshja mes dy vendeve skadon më 31 maj. Prandaj, Vuçiqi dhe Putini biseduan në telefon më 29 maj për marrëveshjen e re dhe kushtet për Serbinë, që një prej shteteve të rralla që nuk ka vendosur sanksione ndaj Moskës zyrtare, pas pushtimit të Ukrainës.
Megjithatë, Serbia mbështeti disa rezoluta të OKB-së dhe BE-së, në të cilat dënoi agresionin kundër Ukrainës.
Kontratë trevjeçare
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një deklaratë për media ka thënë se kontrata e re do të nënshkruhet për tre vjet. Marrëveshja do të nënshkruhet me kompaninë shtetërore ruse të energjisë Gazprom.
Çmimi dhe sasia ende nuk dihen
Sipas asaj që ka thënë presidenti i Serbisë, me Putinin nuk ka biseduar për çmimin e gazit për Serbinë. Në nëntor të vitit 2021, Vuçiq u mor vesh me Putinin për një çmim gjashtëmujor prej 270 dollarësh për një mijë metra kub.
Për Ukrainën
Që të dy, Vuçiqi dhe Putini, në deklaratë, gjegjësisht, komunikatë, kanë përmendur se kanë biseduar për situatën në Ukrainë.
Përderisa deklarata zyrtare e Kremlinit nuk përmend asgjë më shumë për këtë temë, Vuçiq u tha gazetarëve, pas bisedimeve me Putinin, se ai ia theksoi Putinit qëndrimin e Serbisë se Beogradi do të donte që “paqja në Ukrainë të vendoset sa më shpejt të jetë e mundur, ndërkaq që presidenti rus dha informacione nga këndvështrimi i vet”.
Për Kosovën
Në deklaratën e tij, presidenti i Serbisë nuk ka përmendur se është folur edhe Kosova.
Megjithatë, ky informacion bëhet i ditur në komunikatën e Kremlinit, ndonëse pa më shumë detaje.
Bisedimet për këtë temë u bënë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, në bisedimet me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, më 26 prill, tërhoqi një paralele midis ish-krahinës së Kosovës, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008 dhe pjesëve të Ukrainës që janë nën kontrollin e separatistëve pro-rusë, gjë që, ndryshe nga rasti i Kosovës, është dënuar nga shumica në bashkësinë ndërkombëtare.
Forcimi i marrëdhënieve
Në komunikatën e Kremlinit theksohet se të dy burrështetasit diskutuan gjithashtu lidhur me hapat për të zgjeruar bashkëpunimin ekonomik.
A po shkon Lavrovi në Beograd?
As Putini dhe as Vuçiqi nuk e kanë komentuar informacionin e publikuar nga disa media në Serbi se ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, do të shkojë në Beograd, më 7 qershor. Nëse ky informacion konfirmohet, do të ishte vizita e parë e tillë e nivelit të lartë nga një zyrtar rus, që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Tri ditë më vonë, sipas mediave gjermane, kancelari gjerman, Olaf Scholz, do të vizitojë Serbinë.
