Firma e Presidentit Ilir Meta për lirimin nga detyra e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj tashmë i hap rrugë votimit të kandidaturës së tij në Parlament.
Zgjedhje Begajt në krye të Shtetit, tashmë është thjesht një formalitet. Pritet që seanca të fillojë në orën 18:00 dhe më pas të votohet për emrin e Presidentit të ri.
VOTAT NE KUVEND
Kushtetuta përcakton se në raundin e katërt dhe të pestë Presidenti mund të zgjidhet edhe me 71 vota. E majta ka më shumë se 71 vota në Kuvend, por tashme ajo që ka rëndësi është sa vota do të marrë Begaj.
Ashtu siç kanë njoftuar dje, grupi i Berishës do të jenë sot në seancë plenare për të shprehur qëndrimin e tyre me votë kundër, ndërkohë që Grupi Parlamentar i PD-së do ta bojkotojë seancën.
DOREHEQJA E BEGAJT
Begaj, u dorëhoq sot nga gradat që mbante dhe nga detyra e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Por para votimit në Kuvend, këtë dorëheqje duhet ta pranonte dhe kreu i shtetit Ilir Meta. Edhe me herët u bë e ditur se Ilir Meta “do të respektojë çdo vendim të Kuvendit të shprehur me votë”. Kandidati për President të ri të vendit, Bajram Begaj publikoi një mesazh para votimit në Kuvend.
“Ky është një ndër ato raste që fjalët nuk e përshkruajnë dot. Vetëm përkushtimi me besnikëri absolute ndaj Republikës, qytetarëve dhe Kushtetutës së saj, mund ta tregojnë sadopak madhësinë e këtij nderi”, shprehet në letrën e tij publike Begaj.
Teksa nënvizon se “jam mësuar që puna ime të flasë për mua, jo unë për veten time dhe kam frikë se nuk e ndryshoj dot këtë edhe po të dua”.
