Zv.kryeministri Arben Ahmetaj, duke folur në seancë plenare për rritje e çmimeve, ai u shpreh se kjo krizë është rrjedhojë e luftës në Ukrainë.
Në përgjigje të kritikave të opozitës për keqmenaxhimin e situatës, Ahmetaj theksoi se qeveria ka marrë politikat e duhura sociale në ndihmë të qytetarëve përmes një sërë paketash.
“Mos harroni që ne këtu me atë përgjegjësi që duhet të kemi, duhet të themi se invazioni rus në Ukrainë nuk i ka pasojat vetëm sot, por e ardhmja e Evropës nuk do të jetë e thjeshtë, pasi mungojnë të mbjellat dhe të korrat këtë vit, rrugët e transportit dhe furnizimit kanë problematikat e tyre, konsekuenca e çmimit të energjisë, rrit kostot e prodhimit, ul produktivitetin, paniku në tregje ndërkohë bën të njëjtën gjë.
A mund të bëjë qeveria më tepër? Po patjetër? Çfarë ka bërë qeveria më tepër? Ka furnizuar terrenin ekonomik me paketa ndihme subvencionesh, me politika sociale, me subvencion të energjisë, me një politikë të tërë për rindërtimin…E mbani mend Shkodrën, atë e keni bastion. U përmbyt? Iu premtuat që do e dëmshpërblinit, por u dëmshpërblyen nga ne. Në ’97-ën e shkatërruat me skemën piramidale. I gritë, u detyrua qeveria shqiptare për t’i subvencionuar. Mos flisni për anën sociale. Mos u bëni migjenianë.”