“Prej 2 vitesh unë dhe bashkëshorti im grumbullojmë mbeturina plastike për të mbijetuar. Kemi 3 fëmijë, më e vogla maturante në gjimmaz, një djalë të larguar në Gjermani dhe një vajzë të martuar. Të vetmet të ardhura janë ato që fitojmë nga shitjet për riciklim të mbeturinave që mbledhim në gjithë zonën e Kinostudios”.
Kështu e nis historinë e saj, Afërdita Tifi e cila së bashku me Gencin, bashkëshortin, prej vitit 2019 nisi të mbledhë mbeturina me një karrocë dore duke i rënë kryq e tërthor zonës ku jetojnë, pranë shkollës “Bajram Curri”, rruga për në Tufinë, në Kinostudio.Afërdita thotë se puna e tyre zgjaste nga ora 05.00 e mëngjesit deri në 12:00 të ditës e më pas mbeturinat i dërgonin fillimisht në një shtëpi të të afërmit të tyre, në atë zonë, ku sistemonin e bënin ndarjen e mbetjeve, për ti vendosur në një qese tjetër, para dorëzimit pranë shoqatave të riciklimit.
Por pse kjo zgjedhje?

“Nuk ishte dëshira jonë të përfundonim me një karrocë dore të dy burrë e grua. Ne e kishim punën tonë. Prej vitesh shitnim këpucë e sandale të përdorura në trotuar pranë lagjes sonë, si të gjithë të tjerët nga komuniteti ynë rom. Por nuk na la bashkia gjatë të vazhdonim. Isha e kënaqur sepse shitjet ishin të mira e përveç kësaj nuk gërrmoja në kazanet e plehrave sic bëj sot. Por na përzunë pa na dhënë një vend afër shtëpisë sonë”, thotë Afërdita.
Vajza e vogël 17-vjeçe ka ëndërr të ndjekë shkollën e lartë por gruaja ndjehet keq kur mendon shpenzimet e mëdha që I duhen.
“Nuk kam kërkuar asgjë më shumë se një punë cfarëdo nga bashkia. Kam shkuar e trokitur prej vitesh, dhe atëherë kur mësuam se do na hiqnin nga trotuari. Asksush s’na dëgjoi e s’po na dëgjon’, thotë e dëshpëruar Afërdita Tisi.
Mbi 85% e popullësisë rome dhe egjiptiane punojnë me mbledhjen-grumbullimin e mbetjeve të riciklueshme ku 12.500 punëtorë të sektorit të grumbullimit të mbetjeve të riciklueshme janë nga komuniteti rom-egjiptian.
Grumbulluesit individual mbledhin materiale të riciklueshme (kryesisht metale, kanace alumini, bateri makinash, pajisje elektrike e elektronike, letër, karton, qese e shishe plastike), nga kontenieret e mbetjeve në rrugë e lagje, apo mjedise të tjera, qoshet e rrugëve, zonat ish industriale apo ato funksionale që gjenerojnë mbetje, etj.Sipas një raporti të qendrës “Eper Center”, mbi vlerësimin e punës së grumbulluesve individual në riciklimin e mbetjeve në Bashkinë Tiranë, mbledhja e mbetjeve është e vetmja alternativë për mbijetese, veçanërisht për pjesën dërmuese të familjeve rome.
Me punën e tyre jo të formalizuar, grumbulluesitkontribuojnë në industrinë e riciklimit, që sipas statistikave të INSTAT gjeneron çdo vit rreth 1,086,692 kg mbetje në vit.Në raport thuhet se krijimi dhe miratimi i Planit Kombëtar të Veprimit për Integrimin e Romëve dhe Egjiptianëve, 2016- 2020 dhe Dokumentit të Politikave Strategjike dhe të Planit Kombëtar për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve, 2020–2035 , përfaqëson një përpjekje të Qeverisë Shqiptare për të përmirësuar rolin e romëve/egjiptianëve në sferën social-ekonomike dhe për të krijuar mundësi që të përfshihen në trajinime profesionale dhe në punësimin në biznesin e riciklimit, por situata aktuale është më keq se ajo e 6 viteve më pare.“6 vite pas Planit Kombëtar të Veprimit, komuniteti rom-egjiptian i vetëpunësuar në aktivitetin e grumbullimit të mbetjeve e ushtron atë si “punë të zezë”.
Kushtet e ushtrimit të këtij aktiviteti mbeten po të njejta: pa mjete mbrojtëse dhe me mjete transporti primitive nga të cilat thasët e mëdhenj, karrocat e dorës dhe biçikletat e konsumuara , sikurse 6 vite më parë mbeten bashkëkohore. Por kjo përpjekje e qeverisë është e pamjaftueshme në praktikë për të mbështetur dhe ndihmuar të gjitha kategoritë e romëve/egjiptianëve në rrezik.
Prandaj është e rëndësishme që të krijohet një partneritet më i madh midis pushtetit vendor, biznesit, dhe shoqërisë civile”, vlerësohet në raportin e “EPER” për vitin 2021.
Në kuadër të projektit “Fuqizimi i të drejtave të punës së Romëve dhe Egjiptianëve në Riciklimin e Mbetjeve”, qendra mjedisore “EPER” në bashkëpunim me bashkitë Tiranë, Elbasan dhe Korçë, gjatë periudhës shkurt-prill 2022 zhvilloi një fushatë ndërgjegjësuese në komunitetin rom dhe egjiptian duke I ftuar të gjithë grumbulluesit rom dhe egjiptian që punojnën me riciklimin e mbetjeve në Bashkinë Tiranë, Bashkinë Elbasan ose Bashkinë Korçë, të regjistrohen pranë zyrës së pritjes së qytetarëve të bashkive përkatëse, për tu rregjistruar në regjistrin e posaçëm për punësimin formal të grumbulluesit.
Afërdita thotë se do të heqë dorë nga grumbullimi i mbeturinave, por i shoqi Genci do ta vazhdojë. Ajo ka dëshirë të punojë në një vend më dinjitoz. Gruas rome i vjen turp nga fëmijët që të tërheqë akoma rrugëve karrocën rrugëve ,sepse askush nuk i ofroi apo bashkëshortit një punë. / B.M
