Draftligji i ri për “Agjencinë Shtetërore të Pronës”, tashmë në konsultim publik, saktëson se si do të bëhet regjistrimi i pasurisë në bashkëpronësi para dhe pas pjesëtimit.
Sipas nenit 45 të projektligjit, kur prona është në emër të disa bashkëpronarëve dhe në aktin e krijimit të bashkëpronësisë nuk përcaktohen raportet e pjesëve takuese, këto pjesë prezumohen të barabarta.
Përjashtimisht, për pasuritë që i nënshtrohen regjimit të bashkëpronësisë në tërësi, sipas Kodit Civil, nuk vlen parimi i prezumimit të barazisë së pjesëve. Për këto pasuri, në përputhje me Kodin Civil, raportet e pjesëve përcaktohen vetëm në momentin e ndarjes (pjesëtimit) të pasurisë, me marrëveshje noteriale të bashkëpronarëve apo me vendim gjyqësor.
Në çdo rast, akti noterial ose vendimi i gjykatës që pjesëton pasurinë takuese përmban: emrat dhe identitetet e bashkëpronarëve, siç janë të renditura në kartelën kadastrale; të dhënat e pasurisë, sipas hartës kadastrale; pjesët takuese në përqindje, në metra katrorë, si dhe pozicionin fizik në hartë për secilin bashkëpronar; hartën e re që përftohet pas dakordësimit nga ndarja; elemente të tjera që kërkon ligji për noterinë.
Drejtoria vendore, pas marrjes së kërkesës për regjistrim, regjistron ndarjen e bashkëpronësisë dhe bën reflektimet në kartelë dhe në hartën kadastrale.
Po ashtu , draftligji në nenin 46 saktëson edhe si procedohet për bashkimet dhe ndarjet e dokumenteve mbi pronat kufitare me pronar të njëjtë
Konkretisht, sipas draftit, nëse pasuritë e paluajtshme në kufij të ngjitur me njëra-tjetrën (qoftë në plan apo në lartësi), janë pronë e të njëjtit pronar, si dhe i nënshtrohen në çdo rast të drejtave dhe detyrimeve të njëjta, me kërkesë të pronarit, drejtoria vendore regjistron bashkimin e tyre, duke mbyllur kartelat që u takojnë këtyre pasurive të paluajtshme dhe duke hapur një kartelë të vetme.
Me kërkesën me shkrim të pronarit të vetëm apo të të gjithë bashkëpronarëve për ndarjen e një pasurie të paluajtshme në dy a më shumë pjesë të kësaj pasurie, drejtoria vendore bën regjistrimin e ndarjes, duke mbyllur kartelën për pasurinë e paluajtshme që ndahet, hap kartela të reja dhe përditëson hartat kadastrale për pasuritë e paluajtshme të reja, që dalin nga ndarja dhe regjistron në kartelat e reja të gjithë informacionin që kishte kartela e mbyllur.
Në asnjë rast nuk lejohet ndryshimi i pronësisë së pasurisë së paluajtshme që fshin të drejtat reale mbi të. Kur një pronar dëshiron ta ndajë në pjesë pasurinë e paluajtshme të tij, duhet të përgatitet një plan i ri rilevimi të nënndarjeve të propozuara.
Drafti sqaron se në të gjitha rastet, pronarët dorëzojnë pranë drejtorisë vendore certifikatën të pasurisë që do të bashkohet ose do të ndahet, si dhe pajisen me certifikata të reja pronësie për pasuritë e krijuara./scan tv
