Një parakalim i gabuar para 3 javëve, çoi në përdorimin e armës mbrëmjen e sotme në Elbasan. E.M, 38 vjeç ka qëlluar 7 herë me armë zjarri në drejtim të 30-vjeçarit Arben Bekteshi. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Skënderbeg” rreth orës 20:00.
Sipas policisë, për shkak të një konflikti të çastit, të ndodhur disa ditë më parë, midis shtetasve E. M. dhe Arben Bekteshi, 38-vjeçari E.M banues në Elbasan ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të Bekteshit, i cili ishte duke qarkulluar me mjetin e tij.
Nga të shtënat nuk ka persona të lënduar.
Shërbimet e Policisë që ishin në patrullim kanë reaguar menjëherë dhe janë vënë në ndjekje të autorit, i cili ka hedhur armën e zjarrit gjatë ndjekjes nga Policia dhe ka mundur të largohet.