Gjatë javës së ardhshme, dy klubet e Milanos, Interi dhe Milani, do të paraqesin planin për ndërtimin e stadiumit të tyre të ri, i cili sipas parashikimeve mund të hapë dyert brenda 3-4 viteve të ardhshme (sezoni 2022/23) data më e mundshme.
“Ne jemi duke punuar mbi këtë projekt së bashku me Milanin – tha CEO i Interit Alessandro Antonello – duke besuar se stadiumi është një nga asetet themelore për rritjen e vetë klubeve: Ne ende kemi punë për të bërë, por tani është koha e duhur. Së shpejti do t’i çojmë Komunës një propozim konkret, për të ndërtuar një stadium të denjë për qytetin e Milanos dhe vetë dy skuadrat”, deklaroi Antonello.
Stadiumi aktual “San Siro” do të qëndrojë për të pritur ndeshjet e Interit dhe Milanit deri në momentin e impiantit të ri.
Një zgjedhje e dhimbshme për historinë që ka ky stadium, por që ka prekur shumë impiante të tjerë të futbollit botëror.
“San Siro” është një stadium që është hapur në Shtator të vitit 1926 dhe është një impiant, që për vetë historinë e arkitekturën që ka, cilësohet si mitik dhe unik në botë. Pikërisht në nder të “La Scala-s” së futbollit, edhe stadiumi i ri do të ketë të njëjtën strukturë me atë aktualin.