Kreu i Shoqatës së Avokatëve Penalistë të Shqipërisë, Saimir Vishaj dje doli kundër bojkotit të avokatëve për hartën e re gjyqësore, por sot ai thotë se shoqata ka vendosur që do të vijojë me bojkotin. Po ashtu ai i ka bërë thirrje ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manjës që duhet të normalizojë situatën. Mëngjesin e kësaj të premte, ai shtoi në një prononcim për gazetarët edhe se avokatët nuk duhet të shkojnë në plazh, por të protestojnë para KLGJ dhe Ministrisë së Drejtësisë pasi situata është alarmante.
“Është një situatë shumë e rëndë, nuk mund ta toleroj. Edhe Ministri i Drejtësisë që është kolegu ynë duhet të mbajë qëndrim. Nuk ka ndodhur që avokatët të bojkotojnë masat e sigurimit. Njëri duhet të ulet. Shoqata t’i drejtohet ministrit për të ç’tensionuar situatat e avokatëve. Sot ne do bëjmë kërkesë që ministri të presë kryetarët e dhomave vendore. Nuk ka asnjë problem që kryetarët e dhomave të paraqesin problemet e tyre që të ketë një negocim për hartën e re gjyqësore.
Ministri është profesionist dhe e kupton shumë mirë çfarë do të thotë moszhvillimi i seancave pa praninë e avokatëve, ndaj besoj se do të jetë ai faktor mes dhomës së avokatëve dhe KLGJ. Unë kam pasur mendim kundër për masat e sigurimit. Janë emergjente dhe qeveria nuk duhet të heshtë sepse gjendja është alarmante.
Ka shumë në paraburgim që prezumojnë se janë të pafajshëm që një masë sigurimi do ta conte drejt lirisë. Ne duhet të protestojmë tek KLGJ, tek Miistria e Drejtësisë, jo duke vajtur në plazh”.