Nisur nga kaosi që është krijuar nga harta e re gjyqësore, me avokatët që janë në bojkot pa afat, Partia Demokratike kërkon që të thërrasë në dëgjesë ministrin e drejtësisë, KLGj, KLP dhe Dhomën Kombëtare të Avokatëve. Ka qenë deputetja demokrate Dhurata Çupi e cila ka bërë kërkesën.
“Kërkojmë të dimë datën kur do të zhvillohet seanca dëgjimore me KLGJ, KLP, Ministrin e Drejtësisë dhe Dhomën Kombëtare të Avokatisë. Siç dihet sot qytetarët nuk përfaqësohen në procese gjyqësore pasi Dhoma e Avokatisë nuk merr pjesë në gjyqe. Është çështje sensitive dhe duhet të njihen qytetarët me datën e dëgjesës dhe marrjen e masave”,-tha Çupi në hyrje të mbledhjes së Komisionit të Ligjeve.
Pas kërkesës së PD-së, kryetarja e Komisionit, deputetja e PS-së Klotilda Bushka tha se dëgjesa do të rakordohet që të zhvillohet në datën 11 ose 12 korrik.