Deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido, i ftuar në emisionin “Top Story”, u shpreh se ajo çfarë ndodhi ditën e sotme në Kuvend ishte “vijimësia e teatrit të shëmtuar të Partisë Demokratike”.
“Në parlament ka dialog dhe debat, këto janë dy format e pranueshme. Kjo forma e tretë me pseudo cubat që të heqin kartonin nga dora, kur janë kamerat, se kur nuk ka kamera jo, nuk është politikë. Sot do të debatonim dhe mbi çështjen e protestës, për të hedhur edhe teza politike. Interpelanca me ministrin e Brendshëm ishte kërkuara nga PD dhe vetë ishin deputetët e PD-së që nuk e lejuan”, u shpreh Bido.
I pyetur nga Grida Duma nëse do ketë interpelancë me kryeministrin Edi Rama, Bido u shpreh se nuk ishte në rastin konkret.
“Interpelancat me kryeministrin shkojnë sipas fushës së përgjegjësisë. Mund të kërkosh interperlancë me kryeministrin sa i përket Arsimit, por është ministri përkatës që është i gatshëm përgjigjen, se në fund të ditës nuk ka të bëjë me individin por me çështje”, tha Bido.
Duke iu kthyer se çfarë ndodhi sot në Kuvend, deputeti i PS-së u shpreh se “pamë një PD që donte të hynte nga dritarja”.
“Ajo që ne pamë sot, ishte tentativa e Partisë Demokratike për të hyrë nga dritarja. Për të hyrë nga dritarja, në një lutje për bashkëqeverisje, se flisnin për qeveri kujdestare, për herë të parë e dëgjova”, tha Bido.
Ndërkohë sa i përket protestës, deputeti i Partisë Socialiste u shpreh se nuk është e PD-së.
“Nuk është protestë e PD, por një protestë që duhet të marrim mesazhet e duhura. Aty ka edhe të PD, që janë në krye të dhunës, të disa të partive të vogla, Lëvizja Bashkë me një rrymë si Antifa. E patjetër që ka dhe studentë”, u shpreh Bido.
