Gjatë një aksioni të Policisë së Fierit, në një banesë janë zbuluar sasi të ndryshme të lëndëve narkotike. Gjatë operacionit policor të koduar “Gizë”, policia kontrolloi shtëpisë e 66-vjeçarit me iniciale S.G. në lagjen “29 Marsi” në Patos.
I moshuari është vënë në pranga, ndërkohë që në kërkim janë dy djemtë e tij, 26-vjeçari me iniciale G.G. dhe 39-vjeçari me iniciale E.G.Në banesë u gjet 208 gramë lëndë e dyshuar narkotike heroinë, 17.5 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis në proces tharjeje, 1448 fara kanabisi, 3 granata, 2 armë gjahu pa leje, 391 fishekë luftarak, 3 peshore elektronike dhe 2 pajisje që shërbenin për përpunimin e lëndës narkotike.
Gjithashtu, u asgjësuan bimë të dyshuara narkotike kanabis, që ishin kultivuar në një sipërfaqe toke në afërsi të kësaj banese dhe fidanë të dyshuar kanabis, të kultivuar në kubikë, njofton policia. Ndaj të dyshuarve, rëndojnë akuzat “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë” dhe “Mbajtja pa leje e municionit luftarak”.
