Policia e Krujës ka arrestuar 2 persona babë e bir me akuzën e kultivimit të lëndëve narkotike. burime zyrtare nga policia lokale thanë se në kuadër të operacioni policor të koduar “Kroi i Madh” u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve H. K., 53 vjeç dhe S. K., 19 vjeç, të dy banues në Krujë (babë e bir).
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të territorit, në fshatin Kroi i Madh, në dy sipërfaqe toke në afërsi të njëra-tjetrës, kanë gjetur dhe asgjësuar bimë të dyshuara narkotike kanabis sativa, të cilat dyshohet se janë kultivuar nga 53-vjeçari dhe djali i tij.
Në vijim të operacionit, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtyre shtetasve, u gjetën fidanë të dyshuar narkotikë, të kultivuar në kubikë, dhe rreth 3.7 kg lëndë e dyshuar narkotike në formë boçeje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin dhe aparatet celulare të 2 shtetasve të arrestuar.
